Java e fundit me diell! Mëngjese të ftohta, por si do të vijojë dita?

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 08:19 | Aktualitet

Kjo javë pritet të sjellë kushte të qëndrueshme dhe kryesisht me diell në të gjithë Shqipërinë, por sipas parashikimit të meteorologes së A2 CNN Tanja Porja, kjo do të jetë java e fundit me mot të kthjellët për një periudhë më të gjatë. Në Dita Jonë në A2 CNN ajo tha se mëngjeset dhe orët e natës do të mbeten të ftohta, ndërsa mesditat të kthjellëta.

“Na presin ditë të bukura këtë javë, po pas kësaj jave me shumë gjasa kjo është java e fundit me diell. Megjithatë ta shijojmë këtë javë me mëngjese të ftohta, orët e natës të ftohta, por mesditat mjaft të mira. Kryesisht kthjellime gjatë ditës së sotme. Megjithatë termometri sot në mëngjes qëndron në vlera të ulëta. Për ata që nuk kanë dalë ende nga shtëpia do të jetë një mëngjes mjaft i freskët. Do të thotë që do të kemi xhupa sot në mëngjes. Termometri sot luhatet në minus 2 në zonat e thella malore, por maksimumi ngjitet në 21-22 gradë celsius”, tha Porja në A2 CNN.

Meteorologia theksoi gjithashtu se gjatë ditës së sotme mbizotërojnë kthjellimet, ndërsa nesër pritet shtim gradual i vranësirave në territor.

“Në pjesën e dytë të javës, vranësirat do të jenë më të dukshme, me mundësi për reshje të pakta dhe të izoluara kryesisht në veri dhe verilindje, veçanërisht të mërkurën dhe pjesërisht të enjten. Megjithatë, pjesa më e madhe e vendit do të vijojë të ketë intervale të gjata me diell dhe vranësira kalimtare. Nesër presim fuqizim të vranësirave në territor”, theksoi meteorologia.

Temperaturat e mëngjesit kanë shënuar rënie të lehtë, me vlera nën zero në zonat e thella malore të verilindjes dhe juglindjes. Në shtrirjen perëndimore, temperaturat minimale luhaten nga 5 deri në 8°C. Ndërsa gjatë mesditës, termometri ngjitet në 19–20°C në zonat qendrore dhe deri në 21–22°C në jug dhe jugperëndim, përfshirë bregdetin.

Sipas meteorologes "era do të jetë kryesisht mesatare verilindore gjatë ditës së sotme, sot sonte vonë në mbrëmje dhe gjatë ditës së nesërme një erë veriore". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos