LIVE| “Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, legjitime dhe me garanci ndërkombëtare”

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2025, 20:51 | Aktualitet

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2 CNN, komentoi procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, duke theksuar se katër kandidatët kanë kaluar prej vitesh filtrat institucionalë. Sipas tij, të gjithë janë prokurorë të SPAK-ut dhe kanë mbi gjashtë vite që i janë nënshtruar një vlerësimi të vazhdueshëm profesional dhe etik.

Karanxha nënvizoi se vendimmarrja i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si shprehje e vullnetit individual të secilit anëtar, ndërsa prania e ndërkombëtarëve në proces është plotësisht e ligjshme dhe e parashikuar në Kushtetutë. Ai kujtoi se janë vetë deputetët që sot kritikojnë këtë prani, të cilët më parë kanë votuar ndryshimet kushtetuese që u japin ndërkombëtarëve rol asistues në reformën në drejtësi. Sipas tij, ata nuk votojnë, por vëzhgojnë dhe shërbejnë si garanci që SPAK të mos cenohet nga interesa politike, shkruan A2 CNN.

Duke iu referuar kritikave për përfshirjen e Altin Dumanit në disa çështje, Karanxha sqaroi se ligji parashikon ngritjen e grupeve hetimore për çështje të rëndësishme, ku përfshihet edhe drejtuesi i institucionit. Kjo, sipas tij, e forcon seriozitetin e hetimit dhe bashkëpunimin profesional.

Në fund, Karanxha i uroi suksese prokurorit Altin Dumani në detyrën e re, duke theksuar se sfida e pasardhësit të tij do të jetë jo vetëm vazhdimësia e punës, por edhe thyerja e “mitit” të krijuar rreth figurës së Dumanit, për të çuar më tej besimin e publikut te drejtësia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos