Me një përvojë prej 36-vitesh si mësuese e pianos në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Nadjezhda Porodini ndau në Dita Jonë me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin në A2 CNN, momentet më emocionuese që shënuan rrugën e saj. Pedagogia rrëfeu me nostalgji kujtimet nga akademia dhe tha se mbi 30 nxënës të saj kanë ndjekur rrugën e artit në botë me të cilët ajo vijon ende komunikimet.
“Kam punuar në liceun artistik deri sa dola në pension për 36 vite. E ndjej veten me fat që prindërit kanë besuar fëmijët e tyre tek unë. Unë e kam ndjerë detyrën time jo vetëm si mësuese por edhe si prind i dytë. Klasa ime ishte e mbushur me buzëqeshje, hare, lule e diskutime. Po kam komunikim me të gjithë pjesën më të madhe të nxënësve. Janë pianistë të skenës dhe pedagogë të universiteteve në botë”, tha ajo.
Pianistja Dhurata Lazo Bejleri jeton në Gjermani i ka kushtuar një libër mësueses Nadjezhda Porodini, të cilin ajo e konsideron një dhuratë të mrekullueshme dhe kujtim të shkëlqyer.
Por në dita jonë ajo ndau një kujtim të veçantë dhe tejet emocionues me nxënësen e saj të verbër.
“Sofia Kolgjini është një nga nxënëset e mia të dashura e të veçanta. Ajo erdhi nga shkolla me aftësi të kufizuara. Nuk shikonte, kishte humbur shikimin nga një minë dhe ma caktuan mua nxënëse. Nuk e harroj emocionin e madh që kam patur në ditët e para. Ishte ngritur në këmbë, kishin filluar punën dhe i thashë: Përshëndetje Sofi pse je në këmbë? Tha; e ndjeva që po vinit, unë e njoh hapin tuaj që kur ktheheni në korridor. Ishte një nga momente më prekëse. Sofia aktualisht është mësuese në shkollën e të verbërve”, tha Porodini mes emocioneve. (A2 Televizion)