
Ish-gjyqtari dhe avokati Shkëlqim Mustafaj u shpreh kategorikisht kundër futjes së ish-presidentit, Ilir Meta në kafazin e qelqtë gjatë seancës së sotme gjyqësore. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai argumentoi teknikisht se duke patur parasysh faktin që kemi të bëjmë me një president dhe me ato akuza që rëndojnë mbi, në mënyrë kategorike nuk duhet të ishte futur në kafaz.
“Si para një qytetari të thjeshtë, garancitë proceduriale janë të shenjta. Dhe nëse cenohen te një funksionar shumë i lartë krijohet ideja që merre me mend çfarë mund të ndodhë tek një tjetër. Kafazë xhami, apo hekuri nuk merret gjykata, nuk i organizon gjykata, nuk përgjigjet gjykata. Është stafi i gjykatës, sigurisë. Mundet ta zëmë se është vërtetë tendencioze, por nuk është në atë nivel sa të ndezë llampën te gjykata, apo te prokurori për sa i përket procesit të zhvillimit të seancës gjyqësore. Personalisht duke ditur që ke të bësh me një ish-president dhe me ato akuza që ai ka, jam i mendimit që kategorikisht nuk duhet të ishte vendosur kafaz xhami”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Mustafaj tha se vendosja në kafaz xhami nuk është përgjegjësi e trupit gjykues, por theksoi se nëse kjo është tendencioze atëherë është e pafalshme.
“Unë nuk dua të them tani paralelizma, por nëse është tendencioze është e pafalshme, por kjo nuk është mirëfilli punë proceduriale e gjykatës. Duke analizuar në mënyrë precize, ligjore dhe reale, nëse do isha në trup gjykues të them të drejtën në sallë nëse ai plotëson kushtet për të folur për të qenë i lirshëm kaq i intereson gjykatës në aspektin e ngushtë procedurial. Të tjerat nëse ka tendencë është e pafalshme, por te një ish-president me ato akuza që ka nuk duhet të ishte ky është mendimi im personal”.
(A2 Televizion)