Ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, ka komentuar atentatin ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke ngritur shqetësime për organizimin e sigurisë dhe tensionin politik në Shtetet e Bashkuara.
Në një lidhje direkte për emisionin “Off the Record” në A2 CNN Andrea Danglli, ai theksoi se mënyra e shpërndarjes së ftesave për eventin ku ndodhi ngjarja ka qenë jo profesionale.
Sipas tij, ftesat ishin të identifikuara vetëm me numër tavoline dhe jo me emra konkretë, çka përbën një problem serioz sigurie, sidomos në aktivitete të nivelit të lartë.
“Diçka tjetër shumë interesante është që ai paska pasur një ftesë, sepse ftesat kanë qenë vetëm me numër tavoline dhe nuk kanë qenë me emra konkretë të gazetarëve. Për mendimin tim kjo është një diçka jo fort profesionale. Bëhet fjalë për një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eksperiencat e mëparshme kanë treguar që ai është objekt i ekstremistëve dhe të futen qindra veta pa u identifikuar me emër është problem. Zakonisht verifikimi bëhet jo vetëm me emër, por edhe me nënshkrim digjital, për të garantuar 100% identitetin e personave. Pra, sigurisht që ka pasur probleme në organizimin e sigurisë.”, tha Visho Ajazi Lika. (A2 Televizion)