
Reshjet e shiut, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe erë të fortë, do të dominojnë motin gjatë gjithë ditës së sotme, me situatën më problematike të përqendruar në veri dhe veriperëndim.
Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, tha në Dita Jonë se moti do të jetë kryesisht e paqëndrueshme, me rrebeshe të shpeshta shiu, ndërsa në pjesën e dytë të ditës pritet një lehtësim i përkohshëm i reshjeve.
“Gjatë ditës së sotme do të kemi edhe disa tronditje të vogla, pasi dita vijon të jetë kryesisht e paqëndrueshme. Do të ketë edhe shkarkesa elektrike, por kryesisht reshje shiu. Veriu paraqitet në një situatë disi problematike”, u shpreh Porja.
Sipas saj, reshjet më intensive kanë qenë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, ndërsa paraditja do të vijojë me rrebeshe kryesisht në veri, veriperëndim dhe në skajin jugor. Zonat qendrore dhe pjesa më e madhe e jugut do të kenë reshje më të pakta, megjithëse nuk përjashtohen rrebeshe afatshkurtra.
Temperaturat shënojnë një rënie të lehtë në mesditë, ndërsa vlerat e mëngjesit kanë mbetur të larta për muajin janar. Temperaturat minimale në zonat malore luhaten nga 4 deri në 6°C, ndërsa rreth 80% e tyre do të përjetojnë reshje shiu. Vetëm në majat e maleve priten reshje dëbore, aty ku temperaturat zbresin rreth zeros.
Në shtrirjen perëndimore, temperaturat e mëngjesit kanë qenë nga 10–11°C në zonat e brendshme deri mbi 13°C në bregdet, ndërsa më ngrohtë është regjistruar në gjirin e Sarandës me rreth 14°C. Maksimumet gjatë ditës variojnë nga 6 deri në 10°C në zonat malore dhe nga 13 deri në 16°C në ultësirën perëndimore, vlera këto të konsideruara të larta për janarin.
Era do të fryjë e fortë gjatë gjithë ditës, veçanërisht në hapësirat detare, duke sjellë probleme për trafikun detar. (A2 Televizion)