"Ndërhyjmë në kantiere", Rama: Konfiskojmë ndërtesat pa leje, krijojmë Agjencinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 19:01 | Aktualitet

"Ndërhyjmë në kantiere", Rama: Konfiskojmë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar konfiskimin e të gjitha ndërtimeve dhe ngrehinave të braktisur që nga viti ’90. Në takimin me deputetët ekzistues dhe ata kandidatë në zgjedhjet e 11 majit, si edhe me drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Rama ka paralajmëruar një sërë aktesh normative për reformën e territorit.

“Do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ‘90 që qëndrojnë si karakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe shëndetit të njerëzve. Do sqarojmë edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit për ndërtimet”.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri të ditur se paketa e reformës së territorit do të zhvillohet në dy faza.

“Paketa e re e reformës së territorit do të ketë 2 faza. Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe. Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme”.

Rama paralajmëroi gjithashtu edhe masa drastike sa i takon kantierëve të ndërtimit.

“Problem me kantierët e ndërtimit. Kantiere që nuk janë kantiere, ndotje e patolerueshme dhe për këtë arsye do të bëhet një ndërhyrje kuptimplotë në raport me kantieret e ndërtimit për ta bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ka një sport tjetër që zhvillohet në Tiranë dhe zona bregdetare; ata zhvillues që marrin një leje, por ende pa e marrë lejen në dorë kuturisen të hapin gropa. Me abuzivizëm përdoret një nen për punime paraprake që kanë prodhuar edhe pallate pa leje. Edhe për këtë masat që do të marrin do të jenë drastike”.

Shefi i qeverisë njoftoi edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

“Do të procedojmë më pas në vijim paralelisht me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon. Të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë për sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit, gjë që do t’i ndihmojë shumë bashkitë e vogla sidomos”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos