Zjarri në Dukat rrezikon Llogoranë, Vengu i kërkon ndihmë BE-së: Presim dy avionë Canadair

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 18:41 | Aktualitet

Zjarri në Dukat rrezikon Llogoranë, Vengu i kërkon ndihmë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nga ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku vizitoi tre zjarrfikës që u asfiksuan gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit në Dukat, deklaroi se situata mbetet kritike në disa qarqe të vendit, për shkak të vatrave të mëdha që janë përhapur në zona malore e pyjore.

Sipas ministrit, zjarret aktive në Dukat, Mat, Përmet dhe Devoll po luftohen nga toka dhe ajri, ndërkohë që është aktivizuar edhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile për të siguruar mbështetje shtesë nga ajri, përfshirë edhe avionë zjarrfikës tip Canadair.

“Janë ditë të vështira për luftën kundër zjarreve. Temperaturat do të shënojnë pikun të enjten dhe të premten, ndaj jemi në gatishmëri të plotë në gjithë territorin. Jemi në koordinim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për të siguruar kapacitete ajrore që do na ndihmojnë të përqendrojmë ndërhyrjen, sidomos për të mbrojtur zonat e mbrojtura", deklaroi ministri Vengu.

Ai shtoi se përpjekjet janë të fokusuara veçanërisht në kufizimin e përhapjes së flakëve drejt zonës së Llogorasë, ku rreziku për përhapje është i lartë për shkak të erërave dhe temperaturave ekstreme të parashikuara për ditët në vijim.

“Për momentin, perimetri i zjarrit është mbajtur nën kontroll falë ndërhyrjeve të herëpashershme nga ajri dhe angazhimit të Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe strukturave vendore. Por për të shmangur çdo përshkallëzim të situatës, kemi kërkuar edhe ardhjen e dy avionëve Canadair për mbështetje nga ajri”, u shpreh Vengu.

Në fund, ministri bëri të ditur se në mbrëmje do të realizohet një raport i plotë për dislokimin e të gjitha forcave në terren, duke qenë se parashikohet që e enjtja dhe e premtja të arrijnë pikun e të nxehtit në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos