Kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka zhvilluar sot një inspektim në zonën e Lungomares, ku po zbatohet aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private.
Në një deklaratë për mediat, Dredha u shpreh se është arritur një dakordësi me bizneset, të cilat do të lirojnë pjesët e hapësirës publike që janë zënë me pajisje të lëvizshme. Për sa i përket strukturave që kërkojnë shembje, ai konfirmoi se aksioni do të vijojë në shtator, shkruan A2 CNN.
“Nuk kemi hasur kundërshtime nga administratorët e subjekteve, por mirëkuptim për këtë proces që synon të rikthejë hapësirat publike për qytetarët”, theksoi Dredha.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se në muajin shtator do të nisë një projekt madhor, i cili parashikon unifikimin e strukturave të bizneseve përgjatë Lungomares, për të ruajtur standardin urban dhe estetik të zonës. (A2 Televizion)