Qentë endacakë në Vlorë po kthehen në një shqetësim serioz për banorët dhe turistët. Prania e tyre në zona publike, si parqe, lokale dhe ambiente të banuara, ngre pikëpyetje për sigurinë dhe trajtimin e kafshëve në qytet. Qentë endacakë që shëtisin të lirë në territorin e qytetit të Vlorës janë kthyer në një shqetësim serioz, sidomos për turistët e huaj, shkruan A2 CNN.
Elena Moliboshko, një shtetase nga Polonia që jeton dhe punon prej disa vitesh në Vlorë, thotë se edhe pse shumica e qenve janë miqësorë, prania e tyre në çdo ambient publik apo privat është e tepërt dhe duhet të merren masa. “Unë nuk kam pasur ndonjëherë problem me ta, por ata janë kudo: në bar-kafe, në parqe, pranë fëmijëve. Në Poloni kemi përdorur sterilizimin masiv dhe vendosjen e çipeve si zgjidhje, pa i vrarë.”
Nga ana tjetër, Liljana Breshani, drejtuese e një qendre për strehimin dhe sterilizimin e qenve, shpjegon se kafshimet ndodhin kryesisht kur qentë ndihen të kërcënuar.
Në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohen dhjetëra raste çdo vit nga kafshimet e qenve, që prekin jo vetëm banorët e qytetit, por edhe turistët që e vizitojnë. (A2 Televizion)