Në ditën e tretë të aksionit të nisur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, me qëllim shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kanë nisur revoltën.
Që në orët e para të mëngjesit, banorët e fshatit Theth në Shkodër, të organizuar, kanë bllokuar urën duke penguar kalimin e zyrtarëve të IKMT dhe Policisë së Shtetit, shkruan A2 CNN.
Aksionin autoritetet shtetërore e konsiderojnë të paligjshëm, pasi banorët pohojnë se ndërtimet i kanë në tokë të tyre, të trashëguar brez pas brezi.
“Po na shkatërrohet gjithë mundi i jetës”, thotë një prej banorëve. Rezistenca zgjati pak dhe forcat e policisë ndërhynë për të liruar kalimin në urë, duke u përplasur me banorët.
Situata e tensionuar vijoi për disa minuta, ku policia përsëriti thirrjen për lirimin e rrugës. Turistët e shumtë që ishin nisur për të vizituar Thethin këtë të mërkurë, e ndalën rrugëtimin e tyre në mes dhe u kthyen në spektatorë të përplasjes mes banorëve dhe policisë.
Pas disa orësh rezistencë, policia bashkë me zyrtarët e IKMT arritën të hynin në fshat, ku përsëri banorët debatuan me drejtorin e IKMT.
Uniformat blu dhe zyrtarët e IKMT sqaruan se nuk do të shembin të gjitha godinat, por vetëm ato që janë pa leje dhe që kanë dëmtuar natyrën e Thethit. (A2 Televizion)