"Nga puntor në Metalurgji, tek “lufta” me Janullatosin", mëkatet dhe sekretet e At Nikolla Markut: Kur priftërinjtë grekë kërkonin ta helmonin

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 09:09 | Aktualitet

"Nga puntor në Metalurgji, tek “lufta” me

Sot u shua At Nikolla Marku, prifti “rebel” që sfidoi sëmundjen, peshën e bindjeve dhe besimit.

Sëmundja e rëndë që e kishte goditur pamëshirshëm nuk ia zbehte dot forcën e shpirtit.

Edhe pse parkinsoni kishte prekur çdo pjesë të trupit të tij, At Nikolla Marku qëndroi i palëkundur deri në fund, duke përçuar mesazhet që besonte se i shërbenin të tjerëve.

Në një nga intervistat e tij të fundit, dhënë për gazetarin Andrea Danglli, ai e pati të vështirë të fliste nga dhimbjet, ndërsa herë pas here duhej të merrte barnat që i lehtësonin sado pak vuajtjet për të vijuar rrëfimin.

Prifti i kishës “Shën Mëria” në Elbasan rrëfen në këtë intervistë rrugën e tij drejt Perëndisë, sfidat gjatë komunizmit, mëkatet e rinisë, marrëdhënien me politikën dhe përplasjen e gjatë me kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Sot, pas ndarjes së tij nga jeta, ribotojmë këtë bisedë si një dëshmi të fortë të bindjeve, betejave dhe shpirtit të tij të pathyeshëm.

INTERVISTA:

Andrea Danglli: At Nikolla ku janë të shtrira rrënjët e besimit tuaj në Zot?

At Nikolla Marku: Unë jam djali i tretë i Stefan Markut, një njeriu mjaft të nderuar në qytetin e Elbasanit por edhe më gjerë. Im atë ka qenë arsimuar në shkollat më të mira të kohës nga ku ka nisur të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Ai u emërua në krye të korit të kësaj kishe ku jemi ne fillimisht si psal dhe më vonë si prift.

Në fëmijëri shkonim shpesh pas tij për ta ndihmuar dhe që këtu nisi të kultivohet shpejt dashuria e madhe për Zotin.  Kështu i mora bazat e para të edukatës kristiane të cilën doja ta pasuroja sa më shumë.

Besoj se kjo ka qenë një kohë e shkurtër pasi siç e dimë në vitin 1967 praktika fetare u ndalua zyrtarisht në Shqipëri. Si ka ardhur ky lajm për ju në kohën kur sapo kishit nisur të kultivonit dashurinë ndaj Zotit?

Shkonim sa majtas-djathtas që të gjenim vetveten por ishte e pamundur. Kush përmendte Zotin ishte i ndëshkuar.  Ishte një çoroditje shumë e madhe. Babai im pasi ju  mbyll kisha, vendosi të largohet nga vëmendja e njerëzve. Diktatura ndaj besimit rezultoi një nga dramat më të rënda që vuri në skenë ai sistem.

Andrea Danglli: Çfarë mendonit në atë kohë? Pati ndonjë tërheqje nga të besuarit?

At Nikolla Marku: Siç ju thashë Andrea, im atë kishte një përgatitje të madhe kulturore dhe ai e kishte montuar tek ne besimin në Zot në një formë shumë të pastër dhe të drejtë. Mund të them se emrin Perëndi ishte futur në shpirt dhe nuk kishte ndenjur thjesht fjalë. Pra kishte një forcë tepër të madhe që na ngacmonte shpesh herë. Edhe pse të privuar, ne vijuam të  besonim me përkushtim.

Andrea Danglli: Si  ia bënit për t’u falur dhe për t’u lutur?

At Nikolla Marku: Në fakt më vjen keq ta them por ndonjëherë besimi sikur ngeli në harresë. Në fillim vinim mbrëmjeve për të ndezur ndonjë qiri fshehurazi në kishë. Kur u ngushtua edhe më shumë puna, atëherë nuk hynim më në dyert e kishës por ndiznim qirinj jashtë ne oborr apo edhe  në ambientet e shtëpisë. Një shoku im që punonte në sigurim të shtetit më këshillonte shpesh duke më bërë thirrje: Nikolla kini kujdes pasi jeni në shënjestër!

Andrea Danglli: Pas ndalimit të besimit fetar, mund të na tregoni se si rrodhi jeta juaj?

At Nikolla Marku: Në kohën e prishjes së kulteve fetare dhe ndalimit të besimit, qyteti i Elbasanit nisi të bëhej një qytet industrial. Mua mu desh që të punoj në Metalurgji pasi duhet të siguroja të ardhura për të ushqyer familjen.  Atje kam punuar për vite me radhë si llogaritar por edhe si teknik në byronë teknike të uzinës. Atje punova me përkushtim për shumë vite pavarësisht se me shumë gjëra nuk pajtohesha.  Ne shiheshim me një sy tjetër për shkak të besimit.

Andrea Danglli: Në ç’mënyrë shiheshit ndryshe? Çfarë ndodhte kur ju qëndronit pranë gjithë asaj mase njerëzish që nuk besonin apo kishin frikë të besonin?

At Nikolla Marku: Kishte shumë që na provokonin duke thënë se Perëndia është një figurë imagjinare, një përrallë apo një çmenduri.  Kam pasur disa raste kur nuk kam duruar edhe kam reaguar. Njëherë pata një debat të gjatë brenda klasës dhe këtë e mbylli kujdestari i klasës i cili na paralajmëroi që të mos flasim më për Zotin pasi mund të vinte keq puna.

Andrea Danglli: Cili ka qenë momenti më i vështirë nga ajo periudhë që arrini të kujtoni sot?

At Nikolla Marku: Sjell në kujtesë ditën kur erdhi rinia për ta shembur kishën “Shën Mëria” ku ne po qëndrojmë sot.  Mendova se tashmë do të përmbysej gjithçka pasi po sulmonim Zotin.  Kur pashë se u hoq kryqi nga kambana dhe nisi të prihej me sharrë, ishte dhimbje e vështirë. Qaja përbrenda si një fëmijë dhe nuk gjeja forcë të reagoja. I vunë flakën ikonostafeve dhe barbaria vijoi gjatë.  Kjo gjendje vijoi disa minuta kur u dha urdhëri që të mos ndërhyhej më. Mbase ky është një prej momenteve kur lotët e hidhërimit kthehen në lot gëzimi për tu bërë balsam për shpirtin.

Andrea Danglli: Me ardhjen e demokracisë, qytetarët shqiptarë patën mundësinë që t’i riktheheshin besimit pasi feja e rifitoi lirinë e saj. Si erdhi për juve ky moment?

At Nikolla Marku: Atë ditë po kthehesha nga puna bashkë me bashkëshorten dhe kam në mendje ende gëzimin e një mikut tim i cili vrapoi drejt meje duke më thënë: Nikolla u hap feja, urgjent tek kisha pasi kërkojnë të të bëjnë prift. Emocione dhe drithërima nga lumturia. Takova priftin e vjetër dhe më tha se babai im që ishte prift më herët në kishë nuk do ta ushtronte më këtë detyrë pasi jeta e kishte lodhur tepër dhe atë që ai e kishte lënë në mes më besohej mua për ta vijuar.

Andrea Danglli: Cilat ishin fjalët e para të babait pas këtij lajmi?

At Nikolla Marku: Babai im dukej i plotësuar që mori vesh se djali do t’i detikohej Zotit. Ruaj dy momente nga ai: Këshilla që më dha dhe amaneti që më la. E para këshilla që besimin fetar mos e përzj me politikën, gjë për të cilën mua më akuzojnë shumë. Ndërkohë amaneti ishte që ta besoj Perëndinë deri në agoni të shpirtit tim dhe ta ruaj besimin në Zot.

Andrea Danglli: Duke qenë se ju keni qenë në shënjestër të vërejtjeve për përzierje të fesë me politikën, sa mendoni se e keni zbatuar këshillën që ju ka dhënë?

At Nikolla Marku: Pyetja juaj do një mendim shumë të thellë. Me ardhjen e demokracisë të gjithë morën nga një drejtim. Tek kishat tona kur erdhi Anastas Janullatos ishte një moment shumë i vështirë pasi nuk mund të pranohej që të shkeleshin rregullat e fesë dhe në krye të kishës ortodokse të vendosej një i huaj. Mbase këtu mund të ngrihen dyshime se unë ngatërrohem me politikën por nuk është aspak e vërtetë.

Andrea Danglli: At Nikolla, nuk ju duket pak si i tepëruar përdorimi i kartës patriotike në këtë çështje?

At Nikolla Marku: Jo, unë thjesht kam dashur të vërtetën që nuk e gjeta kurrë. Çdo popull ka një histori besimi të vetën e cila duhet respektuar dhe kur sheh që kjo shkelet atëherë rruga që të ngelet është të kërkosh drejtësi. Çështja e kombit është e lidhur ngushtësisht me besimin fetar.

Andrea Danglli: Atëherë pse kjo “urrejtje” ndaj popullit grek?

At Nikolla Marku: Nuk mund të them se kam urrejtje ndaj grekëve. Por të huajt nuk duhet të ngatërrohen në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Andrea Danglli: Pra, ju nuk e keni me popujt por me klerikët që vijnë nga jashtë?

At Nikolla Marku: Unë e kam me personat që kanë vërshuar dhe kanë marrë detyra që nuk i meritojnë. Nuk mund të ulesh në një karrige drejtuese pa ta dhënë populli këtë të drejtë.

Andrea Danglli: Cila është marrëdhënia juaj me krerët aktual të kishës ortodokse?

At Nikolla Marku: Sinodi i shenjtë i krijuar nga Janullatosi nuk e njeh ekzistencen time. Ata e quajnë Kisha Autoqefale Shqiptare, ndërsa ne e quajme Kisha Ortodokse Autoqefale Kombetare Shqiptare. Ne e quajmë të tillë sipas parimeve të Fan Nolit dhe kushtetutës së vitit 1937 kohë kur Patriarkana njohu ortodoksine autoqefale kombëtare shqiptare të pavarur nga kishat e tjera, sidomos nga ajo greke.

Andrea Danglli: Ju më keni treguar se Janullatos ka shfaqur hakmarrje ndaj jush. Madje më keni thënë se ka shkuar deri ne ate pikë sa ka pregatitur edhe eleminimin tuaj fizik. Çfarë mund të na thoni për këtë?

At Nikolla Marku: Keni shumë shkrime në media. Pasi u vesha une prift ka pasur kercenime ndaj meje dhe familjes sime. Kërcenime me telefonata, kercenime fizike ku më kanë thënë se kishin qëllim për të më vrarë. Edhe gjatë këtyre viteve kemi kërcenime. Unë në vendin tim mbrohem nga truprojë shtetore sekrete dhe kam një kujdes të veçantë nga ana e shtetit.

Andrea Danglli: Si mund t’ju besojmë? Keni prova se kanë dashur t’ju ekzekutojnë?

At Nikolla Marku: Ne kemi një video ku tregon kërcenimet e hapura të priftërinjve grekë që presin jashë kishës me valixhe në dorë dhe shtyjnë besimtarët e shitur korçarë për tu futur brenda në kishë për prishjen e meshës ose të më sulmonin mua fizikisht. Besimtaret e Elbasanit në atë moment kanë luftuar trup me trup dhe nuk i kanë lejuar.

Andrea Dangllj: Po pse nuk e publikoni këtë video që thoni se e dispononi?

At Nikolla Marku: Kjo video është xhiruar më 15 tetor  të vitit 1995 dhe do të dalë kur të piqen kushtet. Është një dëshmi e jetës sime që mbrojta Kishën Ortodokse Autoqefale Kombetare Shqiptare. Këtë video të gjithë do ta shohin dhe do të binden.

Andrea Danglli; Gjatë përgjigjeve tuaja ve re se vendosni theksin se Anastas Janullatos është agjent i asfalisë greke. Ku e bazoni juve këtë deklaratë?

At Nikolla Marku: Përderisa mesha bëhet në greqisht prej tij, kishat ndërtohen me stile greke dhe ikonat vendosen në greqisht brenda territoreve tona dhe del hapur për vorio-epirin, kjo tregon se agjentura greke ka hyrë thellë në Tiranë.

Andrea Danglli: Ka pasur tentativa për t’u ulur dhe për të bërë paqe me Janullatosin?

At Nikolla Marku: Në këtë konflikt të hapur e kemi ftuar Janullatosin që të vijë në  televizion dhe të  bëjmë një ballafaqim publik. Është ai që nuk ka pranuar sepse e di që nuk ka asnjë përgjigje për atë që bën. Ai është agjent i asfalisë greke. Dua të them se unë e kam falur për gabimet apo negativitetin që ka shprehur ndaj meje. Kam respekt për moshën dhe për një pjesë të kontributit.

Andrea Danglli: Cilat janë gjërat pozitive që ja njihni si meritë Anastas Janullatosit si kreu i Kishes Ortodokse Autoqefale që në momentin e emërimit të tij?

At Nikolla Marku: Unë  nuk e njoh Janullatosin si kryepeshkop. Edhe mijëra shqiptarë rreth e qark globit flasin me shqetësim për hijen e zezë që ka zaptuar Tiranën. Unë njoh vetëm veprat e shkëlqyera që na ka lënë pas Fan Noli.  Pushtuesit e vendit tim, nuk i njoh për eprorët e mi. Edhe populli shqiptar nuk i njeh.

Andrea Danglli: Ka njerëz që mendojnë se pas sulmit tuaj ndaj Janullatosit, fshihet ambicia e hershme për tu bërë kryepeshkop…

At Nikolla Marku: Unë asnjëherë nuk kam pretenduar për të qenë në fronin e kryepeshkopit. Jam një prift i martuar dhe kam dy fëmijë. Në statut thuhet se priftërinjtë e martuar nuk mund të ndjekin rrugën e hirearkisë fetare. Është një rrugë tjetër që të çon tek ky post dhe unë nuk e kam ndjekur  atë. Pra nuk kam të drejtë për tu emëruar në këtë pozicion. Ju them me sinqeritet se nuk e kam luftuar kurrë hirësinë për shkak të kësaj çështje. Në radhë të parë ai duke qenë në krye të kishës ka shkelur dhe ndryshuar statutin pasi kryepeshkopi dhe të gjithë ata që rrjedhin pas tij duhet të jenë me gjak, me gjuhë dhe me nënshtetësi shqiptare.

Andrea Danglli: Po pse mos ndryshohet ndonjë nen i statutit, ku qëndron e keqja këtu?

At Nikolla Marku: Nuk mund të ndryshosh traditën, kulturën apo historinë e një vendi. Kush mund ta pranojë që ne të humbasim identitetin tonë kombëtar?  Asnjë vend tjetër nuk mund ta pranonte këtë gjë.

Andrea Danglli: Meqenëse keni vite që nuk e pranoni Janullatosin si kryepeshkop, gjithashtu edhe veten e përjashtuat nga ky post, atëherë kush duhet të jetë në krye të kishës ortodokse sipas jush?

At Nikolla Marku: Unë kam zhvilluar disa takime dhe kam ndjekur me shumë vëmendje personat që janë pjesë të kishës sot. Në gjykimin tim do të propozoja peshkopin Joan Pelushi që të ulej në këtë karige drejtuese. Një djalë mysliman i kthyer në ortodoks që ka një pregatitje të lartë. Mund ta kryejë mjaft mirë këtë detyrë.

Andrea Danglli: I ndërrojmë për një moment rolet. Mund të më rrëfeni ndonjë prej mëkateve tuaja?

At Nikolla Marku: Andrea, çdo njeri ka mëkatet e tij. Mund të them se një nga pendesat është se nuk e ndoqa ashtu siç duhet ritualin fetar në diktaturë për shkak të trysnisë që solli sistemi. Herë pas here duke u marrë me gjëra të tjera, harronim Zotin dhe e kujtonim veç nëpër festa fetare. Ky largim ishte mëkat. Do të kërkoja një falje shumë të madhe ndaj Perëndisë pasi nuk duhet të “pajtohesha” me diktaturën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos