Inxhinieri elektrik, Azmer Duleviç, thotë se rasti kur një qytetar humbi jetën në Durrës, është alarmant dhe mund të përsëritet, nëse nuk merren masat e duhura. “Në rastin në fjalë, ku babai i tre fëmijëve humbi jetën nga kontakti me rrymën elektrike, ndodhi për shkak sepse nuk ishte zbatuar asnjë rregull i sigurimit teknik. Nuk ka pasur asnjë automat diferencial, ose “salvavita” që e njohin qytetarët dhe nuk ka pasur tokëzim. Nuk është zbatuar asnjë rregull, prandaj qytetari ka humbur jetën”, tha Duleviç në një intervistë për emisionin “Puls”, nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
Sipas tij, ka me qindra raste të ngjashme, ku pranë zonave të banuara, telat janë jashtë, shtyllat janë pa mbrojtje, pa tokëzim. “Pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës kalojnë kabllot e tensionit të mesëm, janë të zhveshur. Pranë Shkollës “Musine Kokalari” në Kombinat shtllat e ndriçimit rrugor i kanë telat të zhveshur. Duhet ë veprohet në mënyrë imediate, pasi mund të përsëritet. Ju e patë rastin e qytetarit në Durrës, por 10 ditë më parë një 16-vjeçare ka humbur jetën në qytetin e Lezhës, po njëlloj, duke prekur një kabull të zhveshur në rrugë”, shtoi ai.
Duleviç thotë se duhet ngritur një task-forcë për identifikimin e këtyre problemeve dhe duhet të sigurohet çdo shtyllë, çdo reklamë, apo edhe stacionet e autobusëve. “Duhet të jenë me tokëzim dhe automat diferencial. Edhe në linjat e reja që janë bërë në mënyrën e duhur, ja po qytetarët që në mënyrë vandale, thyejnë pusetat dhe vjedhin tokëzuesit”, u shpreh Dulevic. (A2 Televizion)