“Mesazhi nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte që kishin ardhur aty për të uruar për detyrën e re kush do ishte kreu SPAKut dhe për t' uruar suksese në jetë politikës shqiptare”. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, analisti Plator Nesturi, duke komentuar zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Sipas Nesturit, vizitat dhe deklaratat e përfaqësuesve amerikanë, nga ambasada, deri te zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe i fundit dje ai i Europës Perëndimore, që u takua me Dumanin një ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj funksionimit të institucioneve ligjzbatuese.
Ai nënvizoi se ndërkombëtarët theksuan partneritetin me SPAK dhe forcat ligjzbatuese, pa dhënë asnjë sinjal mbështetjeje për klasën politike, qoftë mazhorancë apo opozitë.
“Kanë ardhur mesazhe të herëpashershme nga ambasada, nga Departamenti i Shtetit, nga zoti Rubio që ishte për 28 nëntorin, dhe dje ishte dhe zëvendës drejtori i Europës Perëndimore. Pra ke një vëmendje të shtuar dhe në të gjitha rastet edhe zoti Rubio theksoi partneritetin me forcat ligjzbatuese dhe nuk dha asnjë lloj shenje, asnjë lloj gjëje tjetër si me klasën politike nga të dyja krahët”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Nesturi theksoi se mbetet për t’u parë se si do të reagojë Partia Demokratike dhe nëse do t’i qëndrojë deklaratave të saj për mbështetje të drejtësisë. Po ashtu, pritet qasja e Partisë Socialiste përballë hetimeve që kanë prekur struktura të saj.
“Ne po flasim se si do të komportohet nesër politika shqiptare me këto realitete të reja. E gjithë politika shqiptare. Në rastin konkret në qoftë se Partia Demokratike që është partia kryesore e opozitës do të rrijë ashtu siç është dhe unë prandaj e kam se çfarë deklarate do të bëjë zoti Berisha dhe a do t'i qëndrojë asaj deklarate apo jo? Do të urojë apo nuk do urojë dhe si do komportohet me këto lloj realiteti, si do të do të jetojë me simbiozë me këtë realitet të ri? Varet njëkohësisht edhe ecuria e mëtejshme. Të njëjtën gjë shikohet edhe çfarë do të bëjë dhe Partia Socialiste, do të nxjerrë konkluzionin se gjithë këto goditje që po bëhen sepse në fund të fundit janë goditur njerëz që janë përfaqësues në qeveri apo që janë në parlament”. (A2 Televizion)