"Po rrimë me këmbë zbathur në ujë", banorja në Durrës: Jemi 12 persona në banesë, pa ushqim dhe pa energji

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 20:36 | Aktualitet

Një qytetare nga Durrësi ka denoncuar në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN situatën e krijuar në familjen e saj nga përmbytjet. E ndodhur në zonën e Porto Romanos në Durrës, qytetarja tha se prej 24 orësh qëndrojnë këmbëzbathur në banesën e prekur nga uji dhe nuk kanë parë asnjë reagim nga autoritetet.

“Jemi përmbytur. Prej 24 orësh rrimë këmbëzbathur në ujë. Nuk përgjigjet asnjë. Erdhën të bashkisë në rrugë dhe nuk u futën brenda, se u futej uji. Jemi 12 persona në banesë. Asnjë nuk po vjen të pyesë sesi është puna. Se çfarë bëhet me hidrovori nuk e di”, shprehu ajo shqetësimin në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

E pyetur nëse kanë energji elektrike apo nëse kanë mundur të sigurojnë ushqim ajo u përgjigj: “Jo asgjë. Fiket automati nga lagështira dhe rrimë me dritën e celularit”, deklaroi ajo, teksa u bëri apel institucioneve për t’i ardhur në ndihmë sa më shpejt.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos