
Si pasojë e reshjeve të shiut, në Qarkun Korçë janë evidentuar disa problematika lokale, të cilat po menaxhohen nga strukturat përgjegjëse në terren.
Në Bashkinë Pogradec, në fshatin Dardhas ka rrëshqitje të dherave në rrugë dhe po punohet për krijimin e një bypass-i për komunitetin, shkruan A2 CNN.
Lumi i Starovës ka dalë në të dy anët e rrugës dhe situata po monitorohet. Lumi i Verdovës ka prurje të shumta, por deri në këto momente nuk ka dalje nga shtrati.
Në Bashkinë Korçë, në fshatrat Çiflig dhe Shamoll është evidentuar prezencë uji pranë disa banesave, por niveli është në rënie dhe nuk paraqet rrezik. Rruga për në fshatin Denas është aktualisht e pakalueshme nga prurjet e përroit dhe do të ndërhyet në momentin e rënies së nivelit të ujit për stabilizimin e situatës.
Në Bashkinë Devoll, ka prezencë uji në rrugë në Proger dhe Mançurisht, qendra e fshatit Proger është e pakalueshme për mjetet e vogla dhe situata po monitorohet.
Në Bashkinë Maliq, janë konstatuar shkarje dherash në segmentin Lozhan–Moglicë, të cilat u pastruan nga ana e kontraktorit, ka gërryerje në rrugën në aksin Podgorie–Zvezdë, km 11, në afërsi të Kishnikut, si pasojë e prurjeve të mëdha të kanalit vaditës. Po ashtu bëhet me dije se është vendosur sinjalistikë portative dhe kontraktori po punon për të parandaluar avancimin e dëmtimit.
Në Bashkinë Kolonjë, në aksin Ersekë–Leskovik ka çedim të rrugës, por pa bllokim të qarkullimit. Edhe aty është vendosur sinjalistikë portative.
Në Bashkinë Pustec, ka rritje të nivelit të përroit, ku po punohet me mjet eskavator dhe situata nuk paraqet rrezik, shkruan A2 CNN.
Në akset kombëtare Qafë Plloçë–Qukës ka rënie gurësh dhe rrëshqitje masivi gurësh. Policia Rrugore dhe kontraktori janë në terren për normalizimin e situatës.
Sa i përket energjisë elektrike, në Rajonin Korçë raportohet ndërprerje për 503 abonentë në zona të kufizuara. Ekipet e OSHEE janë në terren dhe furnizimi për konsumatorët e rëndësisë së veçantë është i garantuar.
Situata në tërësi është në monitorim të vazhdueshëm dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën për rikthimin e plotë të normalitetit. (A2 Televizion)