Pas ditëve me tym toksik, të shkaktuar nga djegia e mbetjeve urbane në periferi të qytetit, një pjesë e banorëve të Elbasanit po përballen tashmë edhe me një tjetër problem madhor: mungesën e ujit të pijshëm.
Prej 7 ditësh, banorët e lagjes “5 Maj” në qytet janë pa furnizim me ujë, çka ka vështirësuar ndjeshëm jetën e tyre të përditshme. Ata thonë se nuk janë njoftuar për këtë ndërprerje të zgjatur, ndërkohë që temperaturat kanë arritur deri në 40°C, duke e bërë situatën edhe më të rëndë, shkruan A2 CNN.
“Të jetosh pa ujë në këtë vapë është e pamundur. Asnjë lajmërim, asnjë zgjidhje”, thotë një prej banorëve.
“Jemi të detyruar të mbushim ujë nga lagje të tjera. Nuk kemi marrë asnjë informacion nga ujësjellësi”, shprehet një tjetër.
Kjo situatë vjen në një kohë kur çmimi i ujit për familjet është rreth 40 lekë për metër kub, ndërsa po diskutohen propozime për rritjen e tij në 60 lekë/m³ në të gjithë Qarkun e Elbasanit. Justifikimi i dhënë nga institucionet janë kostot e larta të prodhimit, shpërndarjes dhe nevoja për investime në infrastrukturë, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, përballë mungesës së ujit dhe pakënaqësisë së banorëve, përfaqësuesit e Ujësjellësit nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar, pavarësisht kontaktit nga televizioni A2. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e furnizimit me ujë dhe transparencë për situatën që po përkeqësohet dita-ditës. (A2 Televizion)