Mbyllja e segmentit të autostradës Tiranë-Durrës, nga Vora në drejtim të qytetit bregdetar për shkak të punimeve nga ARRSH, ka shkaktuar trafik të rënduar në disa akse rrugore brenda kryeqytetit, por edhe në rrugët dytësore.
Policia e Tiranës njofton se shërbimet e “Rrugores” dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.
“Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij. Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje”, thuhet në njoftim.
Sakaq punimet në aksin Vorë-Durrës kanë shtuar fluksin e mjeteve edhe në autostradën Tiranë-Elbasan.
Gjatë këtyre ditëve qindra mjete kanë kaluar nga Elbasani për të shkuar në drejtim të jugut të vendit. Ky fluks mjetesh sjell për pasojë edhe trafik të rënduar në hyrje dhe dalje të Elbasanit, më konkretisht në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Në pamjet e siguruara nga A2 CNN shihet se radhë kilometrike janë krijuar mbrëmjen e sotme në këtë nyje nevralgjike për qarkullimin drejt jugut dhe juglindjes së vendit. (A2 Televizion)