Drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici komunikoi nga Vlora konfiskimin e një pallati në ndërtim në qytetin bregdetar dhe për kryeministrin Edi Rama një fat të ngjashëm do të kenë të gjitha objektet në shkelje të lejes së ndërtimit në vend.
Shefi i qeverisë po ashtu paralajmëron se të gjithë punonjësit e bashkive që u kanë hapur rrugën ndërtimeve të tilla do të përballen me ligjin, duke u referuar në organin e akuzës.
“Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike, ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme”, shprehet Rama.
Po ashtu, kryeministri lajmëron se “së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin”.
Sipas tij kjo reformë do të përfshijë “masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë”.
“Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, nënvizon Rama. (A2 Televizion)