Në të gjitha linjat e zonave turistike që përfshijnë zonat nga Shkodra deri në Sarandë është bërë remonti i të gjitha linjave dhe kontrolli i tyre. Kështu deklaroi drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Elisian Bici në tryezën me zv.kryeministren Belinda Balluku për masat dhe sfidat e sezonit turistik.
Sipas tij “OST ka marrë disa masa specifike për të përballuar këtë rritje të kërkesës së konsumit të energjisë duke siguruar furnizimin për të gjithë konsumatorët me një cilësi shumë të mirë”.
Bici theksoi se risia është kontrolli i linjave të OST me kamera termike.
“Kemi vazhduar me përforcimin me grupe shtesë në nënstacionet ku kemi ngarkesa për sigurimin e linjave dhe kontrollin e tyre përgjatë sezonit turistik. Një risi që doja të theksoja është kontrolli i linjave të OST me kamera termike, kjo është risi që është bërë dy vitet e fundit. Ne po evidentojmë çdo linjë që ka ngarkesa që i tejkalon ngarkesat nominale dhe veprojmë para se të ndodhë defekti në to”, theksoi Bici.
Kreu i OST u shpreh se “në koordinim me OSHEE, OST DHE OSSH kemi marrë masat për çdo stakim që mund të kemi për të shmangur kohën e shkëputjes së energjisë tek konsumatorët”.
“Në të gjitha këto nënstacione ku ngarkesat janë të mëdha, kemi shtuar personel dhe kemi vënë dhe mjete në dispozicion dhe kemi ngritur një grup që koordinohet nga drejtoria qendrore për mbarëvajtjen e çdo problematike që do hasim në zonat e bregdetit”, tha Bici.
(A2 Televizion)