U zgjodh Avokat i Popullit, reagon Endri Shabani: Votëbesimin surprizues

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 08:25 | Aktualitet

U zgjodh Avokat i Popullit, reagon Endri Shabani: Votëbesimin surprizues

Endri Shabani, i zgjedhur mbrëmë Avokat i Popullit, ka reaguar përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale, duke e cilësuar procesin e votimit në Kuvend si “të rëndësishëm, prekës dhe surprizues”. Shabani u shpreh se dinamika e votimit ishte e papritur, sidomos për shkak të qëndrimeve kontradiktore të dy kampeve politike.

Ai theksoi se deputetët e opozitës fillimisht e mbështetën me firma, duke i hapur rrugë kandidimit, por më pas “braktisën kandidaturën”, gjë që e la të befasuar. Ndërkohë, sipas tij, mazhoranca nuk i dha asnjë firmë gjatë fazës së propozimeve, por në votimin final e mbështeti e gjitha, duke votuar pro me votë të fshehtë, shkruan A2 CNN.

“E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë,” shkruan Shabani, duke falënderuar 35 deputetët e opozitës që nënshkruan kandidaturën e tij dhe deputetët e mazhorancës që votuan pro në sallë.

Shabani vlerësoi votën e mazhorancës si “akt pjekurie politike” për zgjidhjen e ngërçit të institucionit dhe përparimin e procesit të negociatave me BE. Ai premtoi se do të kryejë detyrën me profesionalizëm dhe do të përpiqet të fitojë respektin e të gjithëve, pavarësisht debatit politik të së kaluarës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos