
Kullat e ujit në fshatrat Shën Pjetër dhe Topojë të Bashkisë së Fierit që dikur furnizonin me ujë të pijshëm thuajse 24 orë, qindra familje, sot janë një rrezik për banorët e këtyre fshatrave.
Degradimi ndër vite dhe mungesa e mirëmbajtjes, ka bërë që këto kulla të rrezikojnë shembjen e tyre. Kush më shumë se banorët e zonës e ndjejnë këtë rrezik, teksa kalojnë disa herë në ditë pranë këtyre kullave.
Madje banorët shprehen se do të ishte mirë që kullat të riktheheshin në funksion, pasi furnizimi me ujë ka qenë më i mirë në kohën kur kullat e ujit ishin funksionale.
Sakaq nga drejtoria rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve të Fierit, që ka në inventar këto kulla, askush nuk ka pranuar të prononcohet se çfarë do të bëhet me këto ngrehina, që tashmë rrezikojnë jetën e banorëve. (A2 Televizion)