Ulja e numrit të nxënësve ka sjellë edhe ulje të librave. Kështu u shpreh botuesja Elda Velaj në studion e Dita Jonë në A2 CNN me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin. Sipas saj, ulja e interesit për arsimin ka sjellë edhe ulje të tirazhit, ndërsa rendit edhe faktorët kryesorë që çuan në këtë situatë.
“Mendoj që hera herës abetaret duhen riparë. Ka abetare stok, se ka nxënës më pak. Ka ulje të nxënësve. Nuk është vetëm emigrimi, por ulja e numrit të nxënësve edhe për arsye të lindshmërisë së ulët dhe të gjithë faktorë ndikojnë në uljen e numrit të nxënësve. Fatkeqësisht ka ulje të vogël të librave. Shumë nxënës preferojnë t’i marrin të fotokopjuara librat. Ka rënë interesi për arsimin dhe kjo ka ndikuar në tirazh”.
Sipas Velajt kjo na sjell edhe një analfabetizëm funksional.
“Nga viti në vit shohim që kemi ulje të analfabetizmit në tërësi, por fatkeqësisht kemi rritje të analfabetizmit tjetër. Analfabetizmi real në raport me atë funksional, qëndron në faktin që një adoleshent lexon ngadalë një tekst të caktuar, por nuk kupton një tekst më të zhvilluar, p.sh. një kritikë letrare apo një material që flet për teknologji më të zhvilluar”. (A2 Televizion)