Gjykata e Lartë do të zhvillojë më 30 shtator mbledhjen për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Sipas njoftimit të këtij institucioni, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi listën e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, kreu i Gjykatës së Lartë vendosi thirrjen e mbledhjes së posaçme më 30 shtator 2025, ora 09:00, pranë ambienteve të saj.
“Gjykata e Lartë njofton se, pas depozitimit në datën 23.09.2025 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) të raportit dhe listës së renditjes së kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, vend i shpallur nga Gjykata e Lartë në datë 11.12.2024, ka ndërmarrë hapin e radhës në këtë proces institucional.
Në mbështetje të dispozitave ligjore dhe rregullores përkatëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Mbledhja do të zhvillohet më 30 shtator 2025, ora 09:00, pranë ambienteve të Gjykatës së Lartë, me qëllim zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese”, njofton Gjykata e Lartë. (A2 Televizion)