Nga takimi përmbyllës i fushatës në Mat, kryeministri Edi Rama zbuloi edhe projektet kryesore që do të zbatohen në mandatin e ardhshëm për të përmirësuar infrastrukturën, kryesisht atë rrugore, në këtë zonë.
Rama tha se rrugën e Arbrit, që u finalizua me hapjen e tunelit të Murrizit, do ta pasojnë investimet për ndërtimin e rrugës së Lurës dhe Ulëzës.
“Unë jam i lehtësuar që nuk po bëjmë tjetër fushatë duke vazhduar të themi se do bëjmë Rrugën e Arbrit, por po bëjmë fushatën duke ardhur nga Rruga e Arbrit. Unë them se ka qenë dibran ai që ka thënë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Kjo rrugë sjell jo vetëm lehtësim të lidhjes së njerëzve me Tiranën, por hap edhe horizont krejt të ri për investimet në turizëm. E di që ka konkurrencë të brendshme mes Dibranëve dhe Matjanëve, pasi sa herë i them ndonjë gjë për dibranët nuk ka duartrokitje të nxehta, por mos u mërzisni se do bëhet edhe rruga e Lurës, edhe ajo e Burrelit me Ulzën. Zonë shumë e bukur dhe tani që vihet më lehtë, e do transformohet, ku do lehtësojë edhe mundësinë e investimeve të tjera”, tha kreu i mazhorancës.
Shefi i qeverisë shtoi më tej se “në dekadën e ardhshëm Dibra do jetë pjesa më e lakmuar e metropolit të Shqipërisë”, ndaj nënvizoi se akseset në pikat më të bukura janë të domosdoshme.
“Jemi në proces dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që deri në fund të vitit të arrijmë edhe rrugën e Lurës”, tha Rama. (A2 Televizion)