Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, gjatë takimit me biznese në Elbasan, shpjegoi 3 komponentët kryesorë të “Paqes Fiskale”.
“I pari, është një marrëveshje që do t’i propozohet çdo tatimpaguesi i cili është subjekt i tatimit mbi fitimin, që do të zgjasë për 3 vjet, me të drejtë rishikimi çdo vit, ku në bazë të një historiku 3-vjeçar të fitimit neto të kompanisë dhe do t’i propozohet biznesit një masë tatimi mbi fitimin në masën 15%. Të gjitha bizneset që do vendosin të hyjnë në këtë marrëveshje, përjashtohen nga çdo kontroll tatimor. Nëse do të vendosë që do të deklarojë një fitim më të lartë se ai i dakordësuar me administratën tatimore, për fitimin shtesë, biznesi do të tatohet me 5%. Si do të llogaritet ky fitim që do t’i propozohet çdo biznesi? Supozojmë një biznes me fitim neto 100 mijë euro në 2020, në 2023, 110 mijë euro dhe në 2024, 120 mijë euro. Mesatarja e tre viteve e fitimit neto është 110 mijë euro. Rritja ekonomike do të jetë rritje në varësi të parashikimit që Ministria e Financave do të ketë për rritjen e atij viti. Për çdo biznes do të ketë koeficent që lidhet me cilësinë e biznesit, nëse është i madh apo i vogël. Formula për të llogaritur fitimin është mesatarja e tre viteve që i shtohet një vlere, e shumëzuar me rritjen ekonomike dhe koeficentin rregullues”, tha Brahimaj, shkruan A2.
“E dyta, për të gjithë bizneset që dorëzojnë një bilanc t’u japim të drejtën që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vjet mbrapsht, duke rishikuar zërat e ndryshme të bilancit dhe paguar tatim prej 5% për çdo diferencë që do të rishikohet. Kjo bëhet që biznesi të mbyllë historikun e të kaluarës dhe të ecë në të ardhmen i sigurt dhe në paqe”, shtoi ministrja Delina Brahimaj.
“E treta, kemi marrë masë me qëllim lehtësimin e detyrimeve të akumuluara për shkak të problematikave të ekonomisë. Për këtë kemi propozuar që të fshijmë të gjitha detyrimet, interesat e kamatë vonesat e bizneseve që janë më të vjetra se 10 vjet. Fshijmë të gjithë kamatë vonesat të bizneseve ndërmjet 5 vjet-10 vjet. Dhe e vlefshme pë bizneset që do të vendosin që të paguajnë në një këst të paguajnë të gjithë detyrimin dhe do t’i falet 50% e detyrimit. Kush s’do ta paguajë dot me një këst detyrimin, jepet mundësia të lidhin marrëveshje, ta paguajnë në 12 muaj dhe t’i falet 25% e detyrimit", shtoi Brahimaj. (A2 Televizion)