“Serbia po na mban me qumësht”, Rama: Shqipëria ka PBB më të lartë e çmimet më të ulëta në rajon

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 21:29 | Ekonomi

“Serbia po na mban me qumësht”, Rama: Shqipëria ka PBB

I vendosur në “Off the Record” përballë shifrave të importeve që tregojnë rritje dhe rënie të prodhimit vendas, e faktit se në raftet e supermarketeve gjen qumësht serb, kryeministri Edi Rama e pranoi se industria  e Shqipërisë është “më pak e zhvilluar në krahasim me rajonin”.

Kjo është e vërtetë”, tha shefi i qeverisë, duke shpjeguar më tej se kjo ndodh për shkak se “rajoni ka një industri të trashëguar nga koha e Jugosllavisë të cilën nuk e çoi për skrap, siç e çuam ne në Shqipëri, ku çdo gjë u rrafshua”.

“Madje këtu u rrafshua edhe industria ushtarake, që ishte më e fuqishmja në rajon, në atë kohë”, pohoi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Por për kryeministrin ka një të vërtetë tjetër, ku Shqipëria del mbi fqinjët në rajon, e që lidhet me vrullin e turizmit në vendin tonë.

“Ka një aspekt tjetër ama që kjo është po kaq e vërtetë. Ne kemi një industri të re të turizmit, ku kemi kapërcyer të gjithë rajonin dhe sot, jo rastësisht kemi aeroportin me rritjen më të lartë në të gjithë Europën. Kemi tejkaluar për numër pasagjerësh aeroportin e Beogradit, kështu që këto gjëra duhen parë në kompleks, nuk merret vetëm një copë, për të treguar se jemi të fundit”, deklaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Më tej kryesocialisti tha se ne “jemi vendi me Prodhimin më të lartë të Përgjithshëm Kombëtar, në këtë dekadë, në rajon”. Rama pretendon se në këtë drejtim kemi diferencë të thellë me vendet e tjera, e për më tepër dominojmë mbi ta edhe me çmimet e ushqimeve bazë, të cilat janë më të ulëtat.

Ne kemi rritjen më të ulët të çmimeve, duke iu referuar FMN-së dhe gjithë organizatave të tjera ndërkombëtare. Dhe kemi rritjen më të lartë të pagave në rajon siç kemi edhe rritjen më të lartë të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar në rajon, në dekadën e fundit. Kemi pasur më pak se 3 miliardë euro eksporte, tani kemi më shumë se 9 miliardë euro. Mesatarja e rajonit është shumë më e ulët se sa rritja e Prodhimit të Përgjithshëm. E kemi nisur me më pak se 10 miliardë euro, sot jemi 25 miliardë euro. Dhe ky është prodhim... Dhe projektojmë 35 miliardë euro në Shqipërinë 2030. Ne prodhojmë, por nga ana tjetër mos harrojmë që jemi në treg të hapur dhe sigurisht që funksionon logjika e çmimit më të ulët dhe kush ka masë kritike ka edhe kapacitet që të ofrojë çmime më të ulëta”, theksoi kryeministri në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos