Të kujt janë paratë? Pak individë zotërojnë pjesën më të madhe të parave në banka

Nga Mario Brakaj
8 Maj 2026, 17:19 | Ekonomi

Shqiptarët patën gati 1.5 trilionë lekë të kursyera në banka në fund të vitit të shkuar 122.5 miliardë lekë më tepër se në 2024-n Por pjesa më e madhe e këtyre parave iu përkasin pak individëve, shkruan A2CNN. 

 “Po kemi ca, po nuk janë shumë. Nuk është se na tepron shumë nga shpenzimet që kemi. Ato që kam i kam në lekë”, shprehet një qytetare.

Marrë në rrafshin e familjeve, afërsisht 16 për qind e rreth 740 mijë familjeve në Shqipëri kanë 58 për qind të kursimeve në banka.

Po pse është kaq e theksuar fotografia “bardh e zi” e pabarazisë te shqiptarët?

 “Duke marrë parasysh se 40 për qind e të ardhurave të individëve shkojnë për konsum bazë.. Kjo tregon nga ana tjetër që do të kemi nivel të ulët të kursimeve. Kjo rrjedhimisht përcjell efekte në ekonomi duke ngadalësuar shumë procese ekonomike”, thotë eksperti për Ekonominë Leons Hasani.

Të dhënat tregojnë se në llogaritë e kursimeve me 100 e deri në 2.5 milionë lekë janë te depozituara 509.6 miliardë lekë apo 42.2 për qind e totalit. Edhe këtu ka dallime mes qarqeve të vendit.

 “Në disa qarqe ka rritje, në disa qarqe ka rënie. Për shembull në qarqet e Veriut ke mi rënie të nivelit të të ardhurave të familjeve shqiptare, ndërkohë që në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Korçës kemi rritje të indeksuara të ardhurat me normën e inflacionit”, vijon Hasani.

Pabarazia në normën e kursimit është vetëm maja e ajsbergut të pabarazisë së përgjithshme të popullsisë. Shtresat e pasura të popullsisë, përveç llogarive bankare, mbajnë investime në prona të patundshme, biznese apo tituj borxhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos