Vijojnë ditët e mira për ekonominë, u mblodhën gati 464 miliardë lekë deri në gusht

Nga Marjo Brakaj
18 Shtator 2024, 18:04 | Ekonomi

Ditët e mira për ekonominë vijojnë. Nga fillimi i vitit e deri në gusht, në arkën e shtetit janë futur 463.8 miliardë lekë, 38.2 miliardë apo 9 për qind më tepër se një vit më parë.

Me gjithë inflacionin e rikthyer prej muajsh në objektiv, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën gati 103 miliardë lekë, 8 për qind më tepër se një vit më parë, shkruan A2.

Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me gati 451 miliardë lekë, ndjekur nga taksat dhe akciza. E kundërta ka ndodhur me tatim-fitimin e bizneseve që sollën 4.1 për qind më pak para në arkën e shtetit se në janar-korrik 2023, raporton A2.

“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, tha për A2 CNN, eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar te shpenzimet, duke mos realizuar planet për investime. Në harkun e  muajve janar-gusht për investime shkuan më pas se 378miliardë lekë. Në raport me janar-gushtin e vitit të shkuar shpenzimet janë zgjeruar me 7.4 për qind, por ato u realizuan vetëm në masën 93.1 për qind të planit, përcjell A2.

“Po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë. Shpenzimet lihen për në fundvit. Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, shtoi Gjokutaj.

Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në harkun janar-gusht, me 86 miliardë lekë të kursyera.

Për shkak të mbledhjes së më shumë të ardhurave edhe se në skenarët më pozitivë, qeveria ndryshoi në fund të muajit të shkuar edhe buxhetin. Janë 27 miliardë lekë, të ardhura mbi pritshmëritë që pritet të arkëtohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos