Një 35-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, Kukës, pasi tentoi të trafikonte në territorin shqiptar dy pako me lëndë narkotike të dyshuar si kanabis. Ngjarja u regjistrua gjatë kontrolleve të imtësishme të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
I ndaluari është shtetasi P. G., 35 vjeç, banues në Fier, i cili po udhëtonte me një automjet tip “Audi” në hyrje të Republikës së Shqipërisë. Bazuar në analizën e riskut dhe përzgjedhjen me kontroll të dytë, mjeti i tij u ndalua për një inspektim më të thelluar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë zbuluan të fshehura dy pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 2 kilogramë e 227 gramë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. G., ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare thekson se kontrollet intensive do të vijojnë, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, përfshirë trafikun e lëndëve narkotike. (A2 Televizion)