Policia Kufitare e Vlorës ka shpëtuar disa turistë të cilët po lundronin me një velierë në afërsi të ishullit të Sazanit, të rrezikuar nga moti i keq, raporton A2 CNN.
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:20, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se një tjetër veliere, që ndodhej rreth 3 milje në perëndim të Ishullit të Sazanit, kishte vështirësi në lundrim, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe errësirës, dhe personat në bordin e saj po rrezikoheshin. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua ndërhyrja nga mjeti lundrues i Stacionit të Mjeteve Lundruese Triport, i cili u nis drejt koordinatave të raportuara”, tha policia.
Sipas autoriteteve, rreth orës 20:20, veliera u lokalizua dhe u shoqërua në mënyrë të sigurt në brendësi të Gjirit të Vlorës, ku ndaloi në zonën e “Bove”, pranë Plazhit të Vjetër.
Nga komunikimi me ekuipazhin, rezultoi se shtetasit ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. (A2 Televizion)