Situata e zjarreve në Shqipëri: 14 vatra ende aktive, qindra forca në terren

Nga A2 CNN
7 Shtator 2026, 22:49 | Kronikë

Situata e zjarreve në Shqipëri: 14 vatra ende aktive, qindra forca

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë problematike. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 janë ende aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse.

Në ndihmë të tyre kanë qenë edhe Forcat e Armatosura, me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.

Në qarkun e Shkodrës vijojnë aktive disa vatra, ndërsa më problematike mbetet zona Bardhaj–Myselim, ku po punohet nga toka dhe ajri. Në këtë zonë janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.

Zjarre aktive ka edhe në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit. Ndërkohë, zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Tiranë vijojnë aktive zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt po punojnë 82 efektivë dhe një helikopter, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.

Në Dibër, zjarret janë aktive në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Edhe në zonën Lundre–Madhesh po ndërhyjnë forcat e ushtrisë.

Në Lezhë vijojnë aktive zjarret në Gallatë dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Për këtë të fundit janë angazhuar 63 efektivë dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka banesa në rrezik.

Në Berat, zjarri në Vokopolë mbetet aktiv, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.

Vatra zjarri janë raportuar edhe në qarqet e Korçës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, Fierit dhe Kukësit, por disa prej tyre janë shuar ose janë nën mbikëqyrje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos