Arben Ahmetaj me 9 akuza, dosja shkon në gjykatë

Nga Armand Bajrami
18 Mars 2026, 15:04 | Kronikë

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Hetimi, i cili ka zgjatur rreth tre vite, lidhet me çështjen e inceneratorëve dhe përfshin gjithsej 11 të pandehur.

Sipas SPAK, Ahmetaj dyshohet për korrupsion pasiv në nëntë raste, të ndara në disa episode, ku përfitimet financiare dyshohet se janë marrë përmes transaksioneve fiktive dhe favoreve indirekte. Ndër përfitimet e përmendura janë pagesa të maskuara, investime në prona dhe mbulim shpenzimesh personale, përfshirë udhëtime dhe pasuri të patundshme.

Në dosje përfshihen edhe emra të tjerë, si biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash. Ata rezultojnë në arrati, ndërsa ndaj tyre ekzistojnë masa sigurie të paekzekutuara.

Një pjesë e rëndësishme e akuzave lidhet me fshehjen e pasurisë, ku sipas hetimeve janë identifikuar të paktën 15 raste të mosdeklarimit të pasurive, përfshirë vila dhe shpenzime të konsiderueshme jashtë vendit.

Dosja tashmë i kalon për shqyrtim Gjykatës së Posaçme, e cila pritet të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos