Daniel Shima, 12 orë në jug. Po e arrestonin apo ishte zënë me të dashurën?

Nga Xhensila Kodra
21 Gusht 2025, 15:02 | Kronikë

Zgjati vetëm 12 orë ajo që u cilësua “zhdukje” e ish zv/drejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t. Daniel Shima u denoncua në polici nga nëna e tij si i zhdukur, por pas disa orësh 34-vjeçari u rikthye në banesë duke sqaruar se ishte larguar me dëshirën e tij. Edhe pse jo shumë bindës për policinë, i riu deklaroi para hetuesve se kishte shkuar në jug të vendit, në Borsh pas një sherri që kishte pasur me të dashurën e tij, shkruan A2 CNN.

Zhdukja e tij nisi me një mesazh dërguar pikërisht të dashurës, se “po e arrestonte policia”. Por pas verifikimeve se Shima nuk ishte ndaluar nga uniformat blu dhe celulari i tij që prej mesditës të së mërkurës rezultonte i fikur, nëna e tij e denoncoi si të zhdukur.

Familjarët dhe autoritetet u vunë në lëvizje. Por pak pas mesnate, historia mori një kthesë tjetër. Daniel Shima u paraqit fillimisht në banesë e më pas në komisariatin numër 1 për të dëshmuar.

Aventura e tij 12-orëshe mbetet ende e mbështjellë me pikëpyetje, sidomos për përmbajtjen e mesazhit që njoftonte për ndalim nga policia, një detaj që ende nuk është shpjeguar as nga ai vetë.

Tashmë materialet janë referuar në prokurori, ku hetimet do të përcaktojnë nëse Shima është larguar me dëshirën e tij ashtu siç ai pretendon, apo nëse është kërcënuar nga ndonjë person.

Daniel Shima u shkarkua nga posti i ish- zv/ Drejtorit të Përgjithshëm i AKSHI-t në mars të vitit 2024. Ndërsa më herët është marrë në pyetje nga SPAK lidhur me hetimet e nisura për abuzimet me tenderat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos