Debat për provat e SPAK, shtyhet seanca për dosjen “partizani”

Nga Igli Çelmeta
29 Shtator 2025, 19:37 | Kronikë

Gjyqi në GJKKO për çështjen “Partizani” u shty për në 13 tetor, pasi avokatët e të pandehurve kërkuan pavlefshmërinë e akteve të SPAK. Ata kundërshtuan sekuestrimet në studion ligjore “Pustina”, ndërsa prokurori Arben Kraja kërkoi kohë për t’u shprehur. Sali Berisha mungoi, por në seancë ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.

Gjyqi për çështjen “Partizani” u shty për në datë 13 tetor, ora 12:00, pas kërkesave të avokatëve të të pandehurve për pavlefshmëri të akteve të SPAK. Ata kundërshtuan procesverbalet për sekuestrimet në studion ligjore “Pustina”, duke i cilësuar të paligjshme.

Ish-kryeministri Sali Berisha mungoi sërish, ndërsa të pranishëm ishin Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Avokati Sokol Hazizaj tha se provat e Fatmir Bektashit nuk janë ndarë nga ato të kompanisë “Homeplan”, ndërsa avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari, pretendoi se kontrolli në zyrë u bë pa vendim gjykate.

Prokurori Arben Kraja kërkoi kohë për t’u shprehur mbi këto kërkesa, duke bërë që seanca të shtyhej. Ndërkohë, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se sekuestrimet në zyrën “Pustina” ishin në kundërshtim me ligjin, duke i cilësuar provat të pavlefshme.

Në këtë proces, Malltezi kërkoi regjistrimin e plotë të seancës për transparencë, por gjykata pranoi vetëm pamjet e fillimit, gjë që ai e kundërshtoi si “show”.

Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më datë 19 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos