Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 3 milionë euro në pronësi të noteres 35-vjeçare Sanja Telhallari, mes tyre një vilë luksoze në “Rolling Hills”. Hetuesit dyshojnë se pasuritë burojnë nga aktiviteti kriminal i ish-bashkëshortit të saj, i dënuar për shfrytëzim prostitucioni.
Prokuroria e Tiranës sekuestroi 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare me vlerë 200 mijë euro në pronësi të noteres Sanja Telhallari, mes tyre një vilë luksoze në “Rolling Hills”. Hetuesit dyshojnë se pasuritë, me vlerë mbi 3 milionë euro, janë përfituar nga aktiviteti kriminal i ish-bashkëshortit të saj, Klodian Porja, i dënuar në Itali me 21 vite burg për shfrytëzim prostitucioni.
Përveç vilës u sekuestruan edhe 12 prona të tjera, apartamente, biznese dhe vende parkimi si dhe 5 llogari bankare ku u gjetën të paktën 200 mijë euro. Operacioni “Nënshkrimi” erdhi pas hetimeve që nisën në gusht 2023, kur u tentua të vidhej makina e noteres.
Gjatë 11 viteve të fundit Telhallari ka kryer transaksione të shumta për blerjen e pasurive dhe makinave të shtrenjta, të pajustifikuara nga të ardhurat si notere. Autoritetet dyshojnë se një pjesë e parave i përkasin ish-bashkëshortit Porja, aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Po verifikohen gjithashtu disa prona në jug të vendit të regjistruara në emër të familjarëve.
Sipas prokurorisë, pasuritë e familjes Telhallari dyshohet se burojnë nga para fajdesh, lojëra fati dhe transaksione të dyshimta. Në prill 2025, babai dhe vëllai i saj, Arjan dhe Lorenc Telhallari, u përfshinë në një sherr me armë pranë një zyre elektorale në “Ali Dem”. (A2 Televizion)