Publikohet foto e autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 15:13 | Kronikë

Publikohet foto e autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit

A2 CNN ka siguruar foton e autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi. Sipas policisë, ai është Kamber Sulçe, 48 vjeç, banues në Mesaplik, Vlorë, i shpallur në kërkim.

Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit” pas mesnatës së 26 shtatorit 2025.

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i Policisë Gjirokastër dhe Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, u identifikua autori i dyshuar, Kamber Sulçe, 48 vjeç, banues në Mesaplik, Vlorë. Ai është shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, shkruan A2 CNN.

Hetimet tregojnë se sulmi ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes Kamber Sulçes dhe Sarchit, si dhe shoqëruesve të tij. Sulçe dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska ndaj tyre dhe automjeteve të tyre, ku biznesmeni italian humbi jetën.

Gjatë veprimeve u sekuestruan automjetet e viktimës dhe shoqëruesve, dy armë gjahu, automjeti dhe veshjet e përdorura nga autori, si dhe një çantë me dylbi infra dhe termike, mbajtëse arme dhe elektrik dore.

Kontrollet në banesat e Sulçes dhe familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë sollën sekuestrimin e rreth 2.5 milionë lekëve (lekë dhe euro), tre armë gjahu me municion, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe dy kasaforta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos