
Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë, ku pas konfliktit banal humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.
Sipas burimeve për A2 CNN nga policia e Vlorës, ngjarja ka ndodhur për një konflikt të disa ditëve më parë që djali i viktimës, ka patur me personin që ka goditur të atin e tij me grushte dhe shkelma dhe për pasojë ky i fundit ka gjetur vdekjen.
Burime policore konfirmuan për A2 CNN se babë e bir, kanë shkuar në rrugën "Gjergj Araniti" për të gjetur autorin e ngjarjes dhe për të sqaruar konfliktin. Autori ka qenë në makinë në ato momente me familjen e tij, pasi sapo ka nxjerrë djalin nga spitali, kur viktima më të birin i janë afruar. Kanë debatuar me fjalë dhe më pas situata ka degraduar në fyerje e sharje. Duke qenë se autori ka shtëpinë aty pranë kanë ndërhyrë në konflikt edhe dy shokë të tij. Aty ka nisur një konflikt fizik mes palëve duke u zënë me shkelma dhe grushte.

Autori e ka goditur 63-vjeçarin Ismail Aliaj dy herë me grushte dhe një herë tjetër me shkelm Viktima është përplasur në tokë dhe ka gjetur vdekjen. Burimet konfirmuan për A2 CNN se viktima ka patur edhe probleme në zemër, ku është operuar më parë dhe krahas goditjes mund të ketë qenë një ndër faktorët që i ka shkaktuar vdekjen.
Autori së bashku me dy shokë të tij më pas janë larguar me makinë nga vendi ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim. Gjithashtu krahas viktimës i cili u dërgua në spital por që nuk ia doli, edhe djali i tij u dërgua gjithashtu në spital për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Viktimës i kanë djegur edhe automjetin rreth një muaj më parë, por siç konfirmohet nga policia kjo ngjarje s’ka lidhje me të.
Vlorë / Goditën me grushte, duke i shkaktuar vdekjen 63-vjeçarit, shpallen në kërkim 3 shtetas.
Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.
Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)