Ngjarja e rëndë e ndodhur të enjten pas mesdite jashtë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz ka sjellë në qendër të vëmendjes sërish sigurinë në shkolla. Dy 16-vjeçarë mbetën të plagosur me thikë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa një i tretë mori dëmtime nga grushtet gjatë konfliktit.
Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, në emisionin Dita Jonë këtë të premte tregoi detaje të reja mbi ngjarjen. Sipas tij, sherri mes dy grupeve nxënësish nisi me grushte dhe më pas u përdorën armë të ftohta. Policia identifikoi të miturit e përfshirë duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke marrë dëshmi nga të pranishmit. Të premten u arrestuan dy persona, autori kryesor i plagosjes, gjithashtu i mitur, dhe shoku i tij që e ndihmoi gjatë konfliktit, shkruan A2 CNN.
“Kanë qenë dy grupe nxënësish, dy kundër tre. Autori kryesor përdori thikën ndaj bashkëmoshatarëve, ndërsa policia, pas konsultimeve me prokurorin, vendosi të arrestojë dy të miturit e përfshirë drejtpërdrejt,” u shpreh Çelmeta.
Kjo ngjarje ngre sërish pikëpyetje mbi nivelin e sigurisë në shkollat shqiptare. Sipas gazetarit, fenomeni nuk është i izoluar. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, përfshirë atë në Maliq ku një 15-vjeçar vrau shokun e tij me thikë.
Një problematikë serioze mbetet mungesa e oficerëve të sigurisë. Nga të dhënat e disponueshme, vetëm 30% e shkollave në territorin e Shqipërisë kanë oficerë sigurie, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pambrojtur. Shumica e këtyre oficerëve shërbejnë vetëm në kryeqytet, duke lënë pa mbulim sigurinë në shumë shkolla të tjera të vendit. (A2 Televizion)