Policia ka identifikuar të gjithë të miturit e përfshirë në sherrin e ndodhur një ditë më parë jashtë shkollës “Ibrahim Rrugova” në Kamëz, ku dy adoleshentë mbetën të plagosur me thikë.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se është arrestuar autori kryesor i plagosjes, ndërsa një tjetër i mitur që ka qenë bashkë me të pritet të arrestohet ose të ndiqet në gjendje të lirë. Në konflikt u përfshinë të paktën pesë të mitur.
Ngjarja ndodhi të enjten pas mesdite, kur jashtë gjimnazit shpërtheu një sherr mes nxënësish, i cili përfundoi me përdorimin e thikës. Dy të rinj mbetën të plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Njoftimi i policisë
Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta. (A2 Televizion)