Një shpërthim i fuqishëm gazi në një pikë karburanti tronditi mëngjesin e së mërkurës zonën e Brrylit në Tiranë. I vendosur mes dy pallateve dhe pranë banesave dhe bizneseve krijoi shqetësim dhe panik të shtuar te familjarët.
Karburanti është shkatërruar plotësisht, fatmirësisht në moment e para të shpërthimit nuk ka pasur qytetarë që po kalonin në trotuarin ngjitur. Shpërthimi ka qenë aq i fortë, sa xhamat kanë përfunduar në pjesën tjetër të rrugës, në korsinë e biçikletave, shkruan A2 CNN.
Tre punonjës të subjektit mbetën të plagosur. Pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Traumës u tha se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia njoftoi se shkak dyshohet të ketë qenë shpërthimi i bombolës së gazit gjatë kohës që një automjet po furnizohej. Mjeti ka pësuar djegie në pjesën e pasme.
Për Drejtorin e Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj shpërthimi mund të ketë ndodhur në zyrën ku qëndronin punonjësit. Por Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial përjashtoi shpërthimin e depozitave të karburantit. Për ta zjarri mund të ketë nisur nga një automjet brenda territorit të stacionit dhe më pas të jetë shoqëruar me shpërthim.
Në kuadër të hetimeve Policia ka shoqëruar administratorin, drejtuesin teknik dhe menaxherin e karburantit. Në pyetje janë marrë edhe punonjësit dhe drejtuesi i automjetit që po furnizohej. (A2 Televizion)