
Një 35-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali, shkruan A2 CNN. Trupi i tij u gjet brenda një automjeti të zhytur në lumin Tergola, në zonën e San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.
Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, shtetas shqiptar me banim në Mirano, në provincën e Venecias. Identifikimi u bë nga hetuesit e Njësisë Hetimore të Karabinierëve të Padovës, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe elementeve të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Sipas të dhënave të para nga ekzaminimi mjekoligjor, 35-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Në momentin e vrasjes, viktima kishte duart e lidhura. Mjeku ligjor i cili kreu autopsinë, ka konstatuar gjithashtu se shqiptari kishte ndërruar jetë para se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë gjetur gjurmë uji, çka tregon se ai nuk është mbytur.
Trupi u gjet në sediljet e pasme të një Fiat Bravo të zezë, pa targa. Ai ishte futur në një qese të zezë, ndërsa mbi të ishin vendosur goma automjetesh për ta rënduar dhe për ta mbajtur nën ujë.
Karabinierët kanë arritur të identifikojnë pronarin e Fiat Bravo-s përmes numrit të shasisë. Automjeti rezulton në pronësi të një banori të provincës së Venecias, i cili nuk kishte raportuar vjedhjen e makinës. Ai po merret në pyetje nga autoritetet për të sqaruar rrethanat dhe rolin e tij të mundshëm në ngjarje.
Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë dhe po rindërtojnë lëvizjet e viktimës gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit. Një nga pistat është edhe ajo se autorët e krimit e njihnin mirë zonën dhe karakteristikat e lumit Tergola, ku tentuan të fshihnin trupin.
(A2 Televizion)