Ekstradohet nga Dubai Denis Brajoviq, i kërkuari për disa vepra të rënda penale

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 08:31 | Kronikë

Policia e Shtetit ka njoftuar se vijon me intensitet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të këtij operacioni dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës, Interpol Abu Dhabi dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Denis Brajoviq, 37 vjeç, i cili ndodhej në Dubai.

Brajoviq është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për veprat penale:

Vrasja me paramendim, kryer në formë të grupit të strukturuar kriminal
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve
Grupi i strukturuar kriminal
Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje

Denis Brajoviq njihet edhe si Denis Bajri. Ai është në kërkim për dosjen "Metamorfoza", i akuzuar nga SPAK se ka vrarë Gjin Ndojin në vitin 2020.
  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos