Policia e Fierit ka arrestuar dy persona të cilët qarkullonin të armatosur dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar. A2 CNN mëson se në pranga për armëmbajtje pa leje kanë rënë Gentjan Ndreko alias Gentian Selaci dhe Ana Pelanaj.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, drejtuesi i automjetit dhe pasagjerja kanë tentuar të largohen por janë kapur menjëherë nga shërbimet e Policisë.
Policia ka sekuestruar një pistoletë me municion luftarak, automjetin me të cilin udhëtonin dhe 2 celularë.
Njoftim i policisë Fier
Qarkullonin të armatosur dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohet një pistoletë me municion luftarak, automjeti dhe 2 celularë.
Pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet tip "Audi", lëviznin shtetas të armatosur, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier me mbështetjen dhe të Forcës së Posaçme "Shqiponja", pasditen e djeshme, në lagjen "Apollonia" kanë ndaluar për kontroll automjetin tip "Audi" me të cilin qarkullonin 2 shtetas. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, drejtuesi i automjetit dhe pasagjerja kanë tentuar të largohen por janë kapur menjëherë nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit të automjetit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 aparate celularë.
Në vijim të veprimeve për rastin, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi G. N. alias G. S., 40 vjeç, banues në fshatin Sulaj, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe shtetasja A. P., 31 vjeçe, banuese në fshatin Portëz, për veprat penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)