Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk janë më çift bashkëshortësh. Këtë të premte, Gjykata civile e Tiranës zyrtarizoi fundin e martesës së tyre mbi 26 vjeçare.
Ndonëse ishte vetëm seancë paraprake pajtimi, Gjykata doli me vendim përfundimtar sa I përket ndarjes së Presidentit të Partisë së Lirisë nga Kryemadhi. Pavarësisht rregullit që të dyja palët duhej të paraqiteshin fizikisht në seancë, ish-shefja e LSI-së mungoi duke dërguar avokatin, ndërsa Meta la burgut 313 ku po mbahet për llogari të hetimeve të SPAK, teksa u shoqërua nga oficerë të burgut drejt gjykatës civile.
Përballja me drejtësinë shkaktoi vitin e shkuar jo vetëm një krizë politike por edhe një divorc të fortë familjar mes çiftit. Ishte 20 qershori i vitit të kaluar kur Ilir Meta presidenti i Partisë së Lirisë, iu drejtua gjykatës për zgjidhjen e martesës mbi 26-vjeçare me Kryemadhin, martesë nga e cila kanë dhe 3 fëmijë.
Meta u arrestua me burg tetorin e vitit të kaluar, teksa publikisht ka akuzuar tashmë ish-bashkëshorten se ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme për të dëmtuar kreun e Partisë së Lirisë. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi është në detyrim paraqitje para drejtësisë. Ata po hetohen nga SPAK për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Pavarësisht konfliktit familjar dhe politik, deputetja e Partisë së Lirisë, nuk e zbeh dëshirën për të mbështetur babanë e fëmijëve të saj në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke kërkuar vota për kandidatin Ilir Meta.
Tashmë duket se Monika Kryemadhi ka nisur një fushatë në mbështetje të Metës, i cili garon në listat e hapura të koalicionit me Partinë Demokratike “Shqipëria Madhështore” në qarkun e Tiranës, e bindur se nëse Meta do të fitojë mandatin e deputetit do të jetë përsëri i lirë. (A2 Televizion)