Këtë të mërkurë më 11 mars është mbyllur edhe afati 7-ditor për aplikimet në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i hapur pas dorëheqjes së ish-kryepolicit Ilir Proda.
Deri në orën 16:00 të së mërkurës, sipas burimeve, kanë dorëzuar dokumentacionin me postë për kandidim mbi 14 kandidatë. Megjithatë, çdo kandidat tjetër i interesuar ka ende kohë deri në mesnatën e 11 marsit për të dorëzuar dokumentacionin e aplikimit përmes emailit. A2 CNN prej ditësh ka publikuar emrat e kandidatëve për postin e kryepolicit, emra të cilët tashmë konfirmohen edhe pas mbylljes së afatit.
Bëhet fjalë për oficerin e karrierës me 28 vite në polici, Pëllumb Seferin, drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Seferi mban edhe postin e drejtorit të Shoqatës së Studentëve Europianë që diplomohen nga FBI në SHBA. Ai prej datës 9 mars ndodhet në SHBA me ftesë të FBI, në samitin e liderëve të Shoqatës së Studentëve të Akademisë së FBI.
Vizita e Seferit në SHBA koincidon vetëm pak ditë pas hapjes së garës për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku Seferi është një nga kandidatët potencialë dhe konsiderohet si figura më e pastër në polici dhe i preferuari i ndërkombëtarëve.
Për postin e kryepolicit kandidon edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, me 25 vite karrierë, i cili është një nga kandidatët potencialë. Një tjetër emër që kandidon është edhe drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa. Po ashtu kandidojnë edhe oficerët Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Rebani Jaupi, Neritan Nallbati, Alfred Çepe, Gentian Shehaj dhe Arianit Arapi.
Në minutën e fundit kanë kandiduar edhe emra që janë përfolur pas hapjes së garës, si Tonin Vocaj dhe drejtori aktual i Fierit, Skënder Hitaj. Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme pritet të publikojë më 12 mars në faqen zyrtare listën e plotë të kandidatëve që kanë aplikuar.
Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore. Më pas, komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët. Komisioni i Posaçëm ngrihet nga Ministria e Brendshme dhe përbëhet nga kryetari, që do të jetë një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, dhe dy anëtarë: Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i AMP.
Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit listën me kandidatët me vlerësimin më të lartë. Kryeministri hedh firmën i fundit.
(A2 Televizion)