
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas ukrainas të akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim të personave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në Vlorë.
Të pandehurit janë:
Nazar Khamuilo, aktualisht në arrest në burg;
Mark Petrenko, gjithashtu në arrest në burg;
Karol Oskiera, për të cilin është caktuar masa “arrest në burg”, por ende e paekzekutuar.
Të tre akuzohen për “trafikim të personave të rritur”, pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar pushimin e akuzave për tre shtetas të tjerë të përfshirë në procedim: Oleh Kulsha, Marianna Syzareva dhe Oleksander Tavorskyi.
Hetimi nisi në nëntor 2024, pas një ankese të Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, sipas së cilës një shtetas ukrainas mbahej dhe detyrohej të punonte kundër dëshirës së tij në Vlorë. Pas verifikimeve, policia zbuloi tre ambiente banimi dhe pune në lagjen “Demokracia”, ku disa shtetas ukrainas punonin me laptopë dhe rekrutoheshin persona të tjerë për trafikun e drogës në Europën Lindore.
Sipas hetimeve, viktimat rekrutoheshin përmes aplikacionit Telegram me premtimin e një pune në Varshavë. Pas intervistave dhe testit të poligrafit në Poloni, ata dërgoheshin në Shqipëri, ku u vendoseshin pseudonime dhe u ndalohej përdorimi i emrave të tyre të vërtetë. Konkretisht, Nazar Khamuilo mbante pseudonimin “Kika”, Mark Petrenko njihej si “E Premtja”, dhe Karol Oskiera përdorte pseudonimin “Veterineri”.
Hetimet zbuluan gjithashtu presion, kërcënime dhe dhunë psikologjike ndaj personave të rekrutuar, përfshirë shfaqjen e videove të dhunës ndaj atyre që nuk përmbushnin detyrat. Gjatë kontrolleve u sekuestruan pajisje elektronike dhe 24 pasaporta të shtetasve të huaj që punonin në këto ambiente. (A2 Televizion)