
Një operacion policor i koduar “The End”, i finalizuar pas një hetimi njëmujor, ka çuar në arrestimin e një 26-vjeçari të akuzuar për mashtrim dhe përvetësim të funksioneve shtetërore.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, si dhe me strukturat operacionale dhe Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas hetimeve, shtetasi me iniciale L. M., 26 vjeç, banues në Sarandë, dyshohet se ka mashtruar mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në disa qytete të vendit, duke u prezantuar si punonjës i institucioneve si IKMT, AKU dhe Tatim-Taksat. Ai përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast.
Arrestimi i tij u bë në flagrancë në qytetin e Sarandës, ku u kap duke marrë 56 000 lekë të reja nga një qytetar, përmes mashtrimit. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe shuma e parave.
Nga hetimet rezulton se aktiviteti i tij është shtrirë në disa qytete, përfshirë Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin, Vlorën, Himarën, Orikumin, Fierin dhe Beratin.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)