Kallashnikovi në Kombinat! Mbetet në burg, 28-vjeçari në gjyq: Desha vetëm t'i trembja

Nga Armand Bajrami
26 Gusht 2025, 13:50 | Kronikë

Në përballjen e parë me gjykatën, Oltion Asllani (Vodollari), 28-vjeçari që hapi zjarr me një kallashnikov drejt një automjeti në lëvizje në Tiranë, tha se kishte dashur vetëm t’i trembte personat, që më parë e kishin dhunuar fizikisht, shkruan A2 CNN. Fatmirësisht, plumbat e shtënë prej tij pasditen e së premtes në zonën e Kombinatit, nuk prekën të shënjestruarit, por rrezikuan jetën e tyre dhe të kalimtarëve të rastit.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë, për izolimin në paraburgim të 28-vjeçarit, i cili do të hetohet për “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në burgim përjetë. Në sallën e gjyqit i akuzuari Asllani pretendoi se ka vepruar në gjaknxehtësi, për shkak se ishte dhunuar në përplasjen fizike më katër personat e tjerë. Në lidhje me armën kallashnikov ai i tha Gjykatës se e kishte blerë vite më parë për 15 mijë lekë dhe se e kishte mbajtur të fshehur pranë shtëpisë.

Masa e sigurisë "arrest në burg" për të njëjtën vepër penale u caktua nga gjykata edhe për Serxhio Bajzën, personin që shoqëroi me automjet 28-vjeçarin Asllani ditën e ngjarjes. I dyshuari Bajza përjashtoi veten nga ngjarja, duke pretenduar se nuk kishte njohje apo konflikt me “palën tjetër”. Ai ka pranuar se ka shoqëruar shokun e tij me makinë, kundër dëshirës personale, por duke u ndjerë i kërcënuar nga arma që mbante në dorë dhe gjendja e tij e rënduar psikologjike.  Pas arrestimit të Asllanit e Bajzës, policia gjeti dhe sekuestroi mjetin e përdorur në ngjarje, por nuk mundi të gjejë armën e zjarrit të përdorur nga 28-vjeçari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos