“Korrupsion në zgjedhje” SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e PS në Vaun e Dejës

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 15:28 | Kronikë

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, merret i pandehur nga SPAK për Korrupsion Zgjedhor. Shkrelit, iu komunikua zyrtarisht akuza nga SPAK. Dyshohet se kryebashkiaku socialist ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, duke blerë vota në favor të Partisë Socialdemokrate Tom Doshit, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Marrja i pandehur vjen pas hetimeve të nisura nga SPAK, ku pak muaj më parë, me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar iu sekuestrua celulari, si pjesë e provave. Zona e Vaut të Dejës shënoi një rezultat të lartë për PSD-në në ato zgjedhje. ​Krahas Shkrelit, të dyshuar për përfshirje në këtë vepër penale janë edhe tre persona të tjerë.

Kjo çështje ka qenë në qendër të vëmendjes edhe më herët, kur Kryeministri Edi Rama, pak ditë para zgjedhjeve, i ishte drejtuar publikisht Shkrelit me fjalët: "Kristian, mos luaj më dy porta". Tashmë, çështja ndaj kryebashkiakut dhe personave të tjerë të dyshuar pritet të kalojë për gjykim në GJKKO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos